Sa më shumë vazhdojnë këto protesta, aq më shumë shtohet rreziku i një aksidenti që mund të kushtojë jetë njerëzish.
Një deklaratë e tillë u bë nga analisti Genc Burimi për “MCN Live” lidhur me protestën kombëtare të opozitës në orën 18.00 të pasdites së sotme.
Sipas tij, në këtë përfundim arrihet pasi gjithçka është matematikë dhe se qëllimi është të shtohet presioni te ndërkombëtarët.
Nëse ka një të vdekur në Tiranë, del jashtë kontrollit situata dhe krijohen probleme që nuk i priste Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është si ai fëmija që qaj, qaj, qaj dhe perëndimorët ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje.
Kjo strategji e Partisë Demokratike po funksionon disi. Se protestat nuk kanë filluar sot, por që në momentin që Berisha mori Partinë Demokratike në 2022. Sot në Shqipëri PD ngrihet në protesta për të protestuar kundër korrupsionit të qeverisë Rama.
Perëndimorët janë me Ramën deri në këtë moment, por në një pikë të caktuar mund ti thonë që po na shkakton probleme dhe po jep elementë që shtojnë presionin te kancelaritë ndërkombëtare.
Qëllimi është për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Qëllimi është që ndërkombëtarët të marrin prej veshi Edi Ramën, në mënyrë që ai të pranojë atë që opozita kërkon, zgjedhje të parakohshme me qeveri teknike.
Qëllimi është të shtohet presioni te ndërkombëtarët, jo te Rama, se Rama nuk pyet. Por për momentin perëndimorët nuk janë ende te logjika e zgjedhjeve të parakohshme.



