
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë në veri të Kosovës, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata.
Përmes një shkrimi në rrjete sociale, ministri Sveçla thotë se liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët.
Ministri ka theksuar se grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre.
Sipas tij, këto sulme ishin të përgatitura që një kohë të gjatë e këto përgatitje kulmuan nga takimet në Beograd e në Rashkë.
Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare. Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon.
Tutje u shpreh se krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë.
Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska”.
Përveç sulmeve ndaj qytetarëve, dëmeve materiale e tentim vrasjeve ndaj zyrtarëve policorë, Kosova është ballafaquar mbrëmë edhe me sulme kibernetike të cilat kanë tentuar të pengojnë funksionimin shtetëror.
Në këtë drejtim, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe sistemi është mbrojtur suksesshëm. Në kronologjinë e trazirave me të cilat u ballafaquam dje, nuk mund të mos ngre shqetësimin e madh për plasimin e informacioneve të pakonfirmuara dhe të pavërteta.
Po ashtu, Sveçla tha se lajmet të cilat janë publikuar mbrëmë kanë cenuar rëndë zhvillimin e operacioneve policore, jetën dhe sigurinë e zyrtarëve policorë dhe në veçanti, informacioni mbi plagosjen e zyrtarit policor ka shkaktuar huti dhe shqetësim të arsyeshëm tek të gjithë familjarët e zyrtarëve policorë të cilët ishin në krye të detyrës në atë kohë.



