Pas deklaratave të kryeministrit Rama që policët të angazhohen në fushatë pas punës, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
Ai tha se ligji për policinë e shtetit i ndalon punonjësit e policisë së shtetit që të mbështesin fushatën.
Në një dalje për mediat, demiraj deklaroi se kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë Punonjësit të policisë i ndalohet: a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike; b) të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
“Kam martë të gjitha masat. Ligji për policinë e shtetit përcakton kufizimet të policisë së shtetit të cilit i ndalohet të jetë anëtar i ndonjë partie apo të mbështesë organizatën e një paritë duke marre pjesë fizikisht apo financiarisht”- tha Demiraj.
Ishte kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një mitingu në Berat, u bëri thirrje punonjëseve të policisë që pas punës, të bëjnë fushatë për partinë socialiste. Ndërsa, lidhur më këtë deklaratë të Ramës, reagoi edhe LSI, ku e quajti skandaloze dhe paligjshme thirrjen e kryeministrit.
Deklarate e plote e ministrit
Deklarata e ministrit të Punëve të Brendshme Dritan Demiraj: Të nderuar përfaqësues të medias, Ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor. Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet: a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht. Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.
Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.



