
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shpalljes Kampion Bote në shkëputje dhe sigurimit të 3 medaljeve në Kampionatin Botërorë të Peshëngritjes nga shqiptari Briken Calja.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkruan se Briken Calja meriton sot një përulje me respekt sepse ngjiti majën e botës pa humbur kurajon e as durimin.
“Briken Calja, talenti me vullnet të hekurt, meriton sot një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajon e as durimin, në të përpjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës.”, shkruan Rama.
Kujtojmë se medaljen e arit Calja e fitoi në stilin e shkëputjes, ndërsa medaljet e argjendit në shtytje dhe dy garësh. Në stilin e shkëputjes ai ngriti me sukses 152 dhe 154 kg. Calja ngriti me sukses në provën e fundit edhe 156 kg, diçka që nuk e bëri dot tajlandezi Jeeram. Kështu Calja bën një arritje historike, duke u shpallur kampion bote deri në 73 kg.
Në shtytje, Calja bëri mirë në dy provat e para me 182kg dhe 186 kg, ndërsa nuk ngriti 190 kg. Kjo e zbriti shqiptarin në vendin e dytë, pasi peshëngritësi nga Indonezia, Rahmat Erwin Abdullah, i kaloi me sukses të 3 provat, duke u renditur i pari, në shtytje dhe dy garësh.



