Historiani Marenglen Kasmi është ndër emrat që pritet të kandidojnë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit. Në një postim në Facebook, kryetarja e AIDSSH, Gentiana Mara, shprehet se institucioni që ajo drejton, pjesë e të cilit Kasmi është në cilësinë e anëtarit të Organit Kolegjial, është i angazhuar të zbatojë Kodin Zgjedhor dhe dispozitat e tij.
Funksioni i zotit Kasmi zgjidhet nga Parlamenti me mandat të përcaktuar dhe kjo e bën atë subjekt të ndryshimeve të reja të miratuara nga KQZ në fund të vitit të shkuar. Sipas këtyre ndryshimeve, u ndalohet zyrtarëve të lartë që nga kryeministri, ministrat, kryetarët e bashkive, zëvendësit e tyre e deri te drejtorët e atyre institucioneve që janë edhe pjesërisht me fonde publike të marrin pjesë në aktivitete, ku inaugurohen apo inspektohen investime me interes publik.
Për këtë arsye, Sula thotë se AIDSSH ka hartuar një rregullore, në bazë të së cilës do të raportohet për veprimtaritë me karakter publik të institucionit gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, si dhe për sjelljen e burimeve njerëzore gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, ku përfshihen dhe anëtarët e Autoritetit.
Statusi i kryetares së AIDSSH
Z. Marenglen Kasmi ka informuar sot zyrtarisht që është përzgjedhur për të qenë pjesë e një liste nga e cila do të përzgjidhen disa kandidatë për deputetë për zgjedhjet për Kuvend më 25 prill 2021, nga një subjekt politik. Pozicioni i punës i z. Kasmi është ai i Anëtarit të Organit Kolegjial në AIDSSh dhe si i tillë është funksion i zgjedhur nga Parlamenti, me mandat të përcaktuar.
Sa më sipër, shpreh besimin tim në integritetin profesional të z. M. Kasmi për të kryer veprimet e duhura që burojnë nga legjislacioni zgjedhor dhe së fundmi nga një vendim i datës 24 dhjetor 2020 i marrë nga Komisioni Rregullator pranë KQZ-së. Është ky akt dhe një shkresë e dërguar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve që kanë vënë në lëvizje strukturat e burimeve njerëzore në AIDSSh, për ndërmarjen e hapave konkrete për zbatimin e dispozitave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor por dhe në aktet e nxjerra në zbatim të tij.
Në këtë kuadër, Aidssh ka caktuar personin e kontaktit me KQZ, dhe ka hartuar Rregulloren e Grupit të Monitorimit, sipas të cilës do të raportojë për veprimtaritë me karakter publik të institucionit gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, si dhe për sjelljen e burimeve njerëzore gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, ku përfshihen dhe anëtarët e Autoritetit. Jemi plotësisht të angazhuar në këtë proces monitorimi, në mënyrë që të shmangim veprimtaritë e ndaluara institucionale, por edhe ato individuale, në zbatim të legjislacionit zgjedhor. Komentet janë të mirëpritura por gjuha denigruese apo fyese kundrejt cilitdo, janë të papranueshme dhe prandaj do të fshihen, si dhe herë të tjera.
Ju falemnderit!



