Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, priti sot në një takim ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu. Kryetarja e LSI vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis dy vendeve, duke vlerësuar gjithashtu angazhimet e Kinës në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
“Ne mbështesim programin ‘Një Brez Një rrugë’ dhe procesin 16+1 për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe e shohim si një mundësi të rëndësishme bashkëpunimi mes dy vendeve”, tha kryetarja e LSI-së, e cila shprehu mbështetjen e plotë për krijimin në Shqipëri të Qendrës së Organizatave rinore në kuadër të kësaj Nisme. Gjithashtu, kryetarja e LSI shprehu falënderimet ndaj Ambasadores Jiang Yu për rolin e saj në forcimin e këtij bashkëpunimi në të mirë të të dyja vendeve.
Kryetarja e LSI vlerësoi fokusin që ambasada i kushton projekteve vendore dhe zhvillimit të sektorit të bujqësisë dhe sektorë të tjerë të zhvillimit. Ambasadorja e Kinës Yu vlerësoi rolin që LSI jep në arenën politike shqiptare dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit.
Gjatë fjalës së saj, ambasadorja u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve zhvillohen duke u bazuar mbi marrëdhëniet njerëzore, te qeverive por edhe te partive politike.
“Shqipëria s’është një vend i vogël, por vend me rol shumë të rëndësishëm në Diplomacinë Kineze. Roli im është i dedikuar në rritjen sa më shumë të nivelit të bashkëpunimit diplomatik Shqipëri-Kinë”, është shprehur ndër të tjera ambasadorja. Në takim kryetarja Kryemadhi ka qenë e shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Vasili dhe nga deputeti, njëherazi anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kinë, Edmond Haxhinasto.



