
Që kur u paralajmërua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq në Mal të Zi filluan akuzat mes Kryeministërit dhe Zv/kryeministrit, protestat në rrugë, dhe së fundmi erdhi edhe propozimi për shkarkimin e Kryetarit të Parlamentit, Aleksa Beçiq.
Zv.kryeministri i Malit të Zi, shqiptari Dritan Abazoviç është përplasur mbrëmë me turmën e protestuesve që kërkojnë mosrrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiç.
Teksa Abazoviç kishte dalë për t’u përballur me ta, njëri prej të pranishmëve në tubim, ka përmendur faktin se ministri i Brendshëm është shqiptar, duke bërtitur me të madhe se nuk do të lejojë që të drejtohet nga një tillë.
Sipas DW, në një situatë të tillë plot tensione, kryetarja e Delegacionit të BE-së në Podgoricë, Oana Kristina-Popa u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Mal të Zi që të punojnë për uljen e tensioneve dhe ta zgjidhin situatën aktuale, përmes konsultimeve të ndërsjella dhe konsensusit.
“Mali i Zi ka legjitimitet demokratik. Është shtet demokratik dhe duhet t’i zgjidhë problemet në institucionet shtetërore, jo në rrugë”, thotë Popa.
Ndërkohë thirrja nga BE vjen në kulmin e një krize politike të shkaktuar nga një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, i iniciuar nga zëvendëskryeministri Dritan Abazovic dhe propozimi i fundit i kryeministrit Zdravko Krivokapiç për shkurtimin e mandatit të Kuvendit.
Ftesës së BE-së iu bashkua edhe Ambasada e Gjermanisë në Podgoricë. Sipas Ambasadës “Mali i Zi duhet t’i zgjidhë problemet brenda institucioneve, e jo në rrugë”.
Kryetari i Kuvendit, Aleksa Beçiq, me 4 shkurt ka caktuar votimin, fillimisht për shkurtimin e mandatit të kuvendit, e më pas për nismën për mocionin ndaj qeverisë. Vendimi për shkurtimin e mandatit të kuvendit ose për rrëzimin e qeverisë merret me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, ndërkohë në pritje të seancës së jashtëzakonshme dhe për të ndalur synimet e zëvëndëskryeministrit Abazoviç. Kryeministri Krivokapiç i dorëzoi kuvendit propozimin për shkurtimin e mandatit të kuvendit, duke shpjeguar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme demokratike për tejkalimin e krizës ekzistuese politike.



