Emisioni investigativ “Xhadat” denoncoi heqjen e padrejtë nga puna të tetë nënpunësve civil nga Bashkia e Dibrës pas zgjedhjeve të vitit 2015.
Halil Zhuka është një prej tyre.
" Në vitin 2015 me ardhjen në pushtet të partisë socialiste mua më hoqën nga puna në mënyrë të padrejtë"-u shpreh në intervistën e dhënë për Xhadat z. Zhuka.
Pas vendimit për largim nga puna z.Zhuka dhe shtatë nënpunës të tjerë ndoqën rrugën gjyqësore.
Në vendimet e gjykatës thuhet se këta nënpunës duhet të dëmshpërblehen financiarisht dhe të rikthehen në punë. Largimi i padrejtë i tetë nënpunësve civilë nga Bashkia Dibër i ka shkaktuar buxhetit të shtetit përafërsisht 335 milionë lekë dëm. Këto para do të paguhen nga taksat e qytetarëve, ndërsa nevojat e komunitetit Dibran për investime janë të mëdha.
Këtë informacion publik e ka kërkuar edhe qytetari Premtim Kryemadhi. Për ta marrë këtë informacion z. Kryemadhi ju drejtua Bashkisë Dibër e cila nuk i kishte kthyer asnjë përgjigje edhe pse kishte marrë një njoftim nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Për ta zbardhur këtë informacion u desh ndërhyrja e emisionit Xhadat që qytetari Premtim Kryemadhi pas 5 muajve të merrte një përgjigje.



