
Pas rrëzimit të kandidaturës së tretë të propozuar nga presidenti Meta për kreun e KLSH-së, ka reaguar zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.
Në përgjigje të deklaratës së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili tha sot në Kuvend se kandidaturat e Metës janë të papërshtatshme, Blushi thotë ironikisht se “asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash”.
“Tao Tao ka të drejtë që kandidaturat e propozuara nga Presidenti Meta për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash. Po kështu asnjë prej tyre nuk e ka marrë diplomën e shkollës së lartë, pa bërë fare të mesmen. Presidenti Meta është i paaftë të propozojë kandidatë me rekorde kaq pozitive që do garantonin hapjen e negociatave në 18 tetor 2019 me ovacione nga të gjitha vendet anëtare”, shkruan zëdhënësi i Metës.
Pak ditë më parë, maxhoranca rrëzoi kandidaturën e Petraq Milos. Emri i Milos u refuzua pas rrëzimit të kandidaturave të gjyqtares Vitore Tusha dhe të këshilltarit të tij, Bahri Shaqiri.



