
Mentor Kikia nga studio e MCN Live ka komentuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës për të cilën deklaroi se situata nuk është aspak normale.
Ai tha se Serbia është përballë zgjedhjes mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, ndërsa shtoi se ajo nuk është e interesuar që Kosova të bëhet një shtet i fuqishëm. Sipas tij, është ndërhyrja e ndërkombëtarëve ajo që mund të qetësojë situatën
Duket si lojë luftash ku secila palë po rreh gjoksin me bindjen se nuk do duhet ta shkrehë armën, megjithatë nëse do vazhdojnë të ngrefosen si puna e atyre që duan të zihen por me shpresën se dikush po i mban mund të them se situata nuk është aspak normale. Është një nga ngjarjet më serioze që Serbia ka krijuar në Veri të Kosovës. Ndërkombëtarët janë fuqia, kryesisht amerikanët që mund ta ndërhyjnë për situatën dhe shpresoj që gjërat të zgjidhen pa qenë nevoja të provohet forca e ushtrisë së Kosovës, sepse Serbia është në ditën e saj më të mirë për të mbërritur në këtë situatë. Situata në Mitrovicë ka dy dimensione lokal që lidhet me dështimin e Ballkanit të hapur, me dështimin e procesit për shkëmbime territoresh dhe atë global është që Serbia është përballë zgjedhjes mes BE dhe Rusisë. Sot ato pika kufitare janë mburoja gjeografike e Kosovës dhe Serbia nuk do të lejojë që Kosova të bëhet shtet i fuqishëm.



