Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpreh keqardhjen e thellë dhe dënon ashpër vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Liderit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviç.
Presidenti Meta shpreh gjithashtu besimin se autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë akt kriminal dhe do të venë vënë përpara drejtësisë autorët.
Kreu i shtetit bën thirrje për vlerësimin e situatës me qetësi e maturi dhe që ky akt kriminal të mos ndikojë në procesin e rëndësishëm të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës, proces i cili është shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë e rajonit tonë

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar me një shënim të shkurtër për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.
‘Keqardhje e thellë për tragjedinë e Oliver Ivanovic; akt qëllimkeq që nxit urrejtje e tension. Përpjekjet për dialogun e paqen s’duhen ndalur! Duhen thelluar!’, shkruan Rama në “Twitter”.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar në Twitter lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviç duke e quajtur një goditje të tmerrshme të dialogut dhe stabilitetit në Kosovë.
"Të gjithë aktorët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë që drejtësia të veprojë shpejt!" thotë Bushati në postimin e tij në Twitter

Ndërsa kryetari i PD-së e quajti vrasjen e Oliver Ivanoviç një akt të pastër kriminal. Basha shprehet se akti, përveçse një atentat ndaj jetës, synon të jetë një atentat ndaj proçeseve të bashkëjetesës e të dialogut në Kosovë.
"Vrasja e sotme e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë, është një akt i pastër kriminal që meriton hetim të plotë dhe ndëshkim nga organet ligjzbatuese në Kosovë. Trajtimi i ngjarjeve të tilla, kërkon maturi dhe largpamësi nga çdo aktor i përfshirë në dialogun dhe proçesin e paqëtimit në Kosovë. Përshëndes dhe mbështes plotësisht reagimin e autoriteteve në Kosovë dhe nxis një proçes sa më energjik të zbardhjes së aktit dhe ndëshkimit të autorëve", deklaroi kreu demokrat.
Ivanoviç u vra sot në mëngjes para zyrës së tij në veri të Mitrovicës nga persona ende të panjohur.



