
“Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë”. Kështu deklaroi sot i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, Daniel Koski në Ceremoninë e Diplomimit të Fakultetit Juridik të Tiranës, ku ishin të pranishëm edhe kryeparlamentari, Gramoz Ruçi, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Duke iu drejtuar studentëve të sapodiplomuar, Koski tha se “shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben”.
“Ekziston një traditë të diplomimit amerikan që jam i sigurt se e njihni shumë mirë. Në dorën time po mbaj një fjongo. Fjongo si kjo vendosen në kapelet e të diplomuarve, duke u varur në anën e djathtë të kokës së tyre, gjatë ceremonisë. Në përfundim të ceremonisë, të diplomuarit të gjithë njëkohësisht e lëvizin fjongon në anën e majtë të kapeles. Fjongoja mund të duket si zbukurim apo stoli. Por për amerikanët do të thotë shumë më tepër se kaq. Ajo ka një kuptim të thellë, simbolik për ne. Ajo përfaqëson shpresat dhe aspiratat akademike e përmbushura. Ajo simbolizon fillimin e një kapitulli të ri në jetën e të diplomuarit, mbushur plot me premtime dhe potencial të pamatë.
“Shpresoj ta ndërtoni duke patur në mendje këto tri aspirata, së pari, shpresoj të jeni faktorë ndryshimi për forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por, dijeni, se puna juaj nuk do jetë e lehtë. Korrupsioni është gjithandej dhe fshihet në vendet më pak të dyshimta. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e një brezi të ri që kundërshton korrupsionin kudo që ta shihni. Dhe, ju sfidoj që të bëheni të guximshëm. Demaskojeni korrupsionin dhe nxirreni atë në dritë që ta shohin të gjithë. Kthejeni veten në mbrojtës të një sistemi etik drejtësie dhe heronj të atyre që ai u shërben. Së dyti, shpresoj të përkushtoheni çdo ditë për të nderuar veten, profesionin tuaj dhe bashkëqytetarët tuaj, ndërsa ndihmoni në ndërtimin e një sistemi drejtësie më të mirë për vendin tuaj. Përdoreni optimizmin dhe energjinë tuaj për ta bërë sistemin më të mirë. Rrënjoseni veten tuaj në integritet, nder dhe etikë dhe luftoni për gjithçka që është e drejtë. Ju, kolegët tuaj dhe vendi juaj nuk meritoni asgjë më pak”, apeloi ai.
“Në fund, shpresoj të merrni forcë dhe guxim nga profesionistët e nderuar dhe parimorë përreth jush që kanë nevojë për ju për t’u bashkuar me ta në këtë luftë për të ardhmen e vendit tuaj. Kërkoni partnerë të besuar në ligjzbatim dhe agjenci të tjera për të mbështetur përpjekjet tuaja fisnike. Ata janë atje, duke ju pritur. Dhe dijeni që Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë me ju për sa kohë ju përkrahni një sistem gjyqësor transparent dhe etik. Mbështetja jonë për atë kauzë dhe për ata që na bashkohen në çuarjen e saj përpara, nuk do të lëkundet kurrë dhe nuk do të dobësohet asnjëherë”, përfundoi Koski.



