Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se qytetarët dhe bizneset e tjera janë lënë të vetëm nga qeveria në përballjen me krizën ekonomike më të rëndë të 20 viteve të fundit.
Përmes një deklarate nga selia blu, Tabaku tha se Rama refuzon edhe sot e kësaj dite t’i mbështesë siç duhet financiarisht, edhe pasi i izoloi dhe mbylli bizneset për tre muaj me radhë.
“Sot ekonomia shqiptare po përjeton një nga periudhat më të vështira të 20 viteve të fundit. Të ardhurat në buxhet mungojnë, borxhi është rritur, bizneset po falimentojnë masivisht dhe janë lënë jetimë nga qeveria. Atëherë kur duhet më shumë, qeveria zgjedh sërish të jetë me pakicën”, u shpreh ajo.
Ish-deputetja demokrate theksoi se kryeministri vazhdon të kujdeset posaçërisht, duke mbrojtur 10 oligarkët e tij, me të cilët ka plaçkitur Shqipërinë dhe taksat e shqiptarëve për 7 vite rresht.
“Nën presionin e një krizë të dyfishtë ekonomiko-shëndetësore, Rama vazhdon të kujdeset posaçërisht duke mbrojtur 10 oligarkët e tij, me të cilët ka plaçkitur Shqipërinë dhe taksat e shqiptarëve për 7 vite rresht. Sipas të dhënave të paraqitura dhe nga një hetim i thelluar nga BIRN rezulton se 50% e kredive të miratuara nga fondi i garancisë, u përkasin të dyshuarve të përhershëm, oligarkëve”, tha ish-deputetja.
Ndër të tjera, Tabaku tha se 50% të kredive për garanci sovrane i kanë marrë oligarkët.
“Kreditë e miratuara nga bankat e nivelit të dytë, si pasojë e Fondit të Garancisë Sovrane kapin vlerën e 3.9 miliardë lekësh. Nga të cilat 10 kompani që kanë koncesionet kryesore në Shqipëri kanë përfituar 2 miliardë lekë apo rreth 50% të totalit të këtyre kredive”, tha ajo.



