
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka inspektuar nisjen e sezonit veror në Dhërmi. Së bashku me kryetarin e bashkisë Jorgo Goro dhe prefektin e Vlorës Flamur Mamaj, Kumbaro u shpreh se gjithë vëmendja do të jetë në terren për të garantuar respektimin e rregullave për parcelat e plazheve dhe strukturat “beach bar”.
Lejet për strukturat e përkohshme të shërbimit që janë ‘beach baret’, janë miratuar dhe ka mbaruar gjithë procesi. Subjektet kanë marrë nga Agjensia e Zhvillimit të Territorit edhe sugjerimet ku duhet të bëjnë ndryshime në projekt. Të gjitha lejet janë të publikuara në faqen zyrtare, duke u bërë për herë të parë sistemimi i strukturave të përkohshme të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, kështu që për çdo përpjekje për të ndërtuar pa leje, duhet të dihet që IKMT do të jetë gjatë gjithë kohës në territor. Është i nevojshëm bashkëpunimi me bashkitë dhe prefektin për çdo qark.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se nisja e procesit të dhënies në menaxhim të parcelave për subjektet private që në vjeshtën e vitit të kaluar, ka sjelle efekte shumë pozitive në terren.
Është hera e parë që ne si bashki nuk jemi në terren për të përcaktuar vendet sepse i dimë. Puna e hershme ka filluar të japë efekt dhe të gjithë janë të impenjuar që t’i mbyllin sa më shpejt përgatitjet për sezonin.
Prefekti i qarkut Vlorë Flamur Mamaj tregoi se karakteristikat e motit në Dhërmi e bënin të pamundur vendosjen e stacioneve të plazhit më herët, por subjektet kanë qenë të qarta për procesin dhe për hapësirat e tyre.
Deri në prill në Dhërmi ka shumë era të forta. Kjo bën që subjektet të shmangin vendosjen e çadrave. Parapërgatitjet që filluan shumë herët janë shumë të mira, ka filluar të japë efektin dhe të gjithë janë të impenjuar ta përfundojnë sa më shpejt për të qenë gati.



