
Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës që zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.
Këtë e ka konfirmuar sot në Bruksel vetë zëdhënësi i BE-së, megjithatë ende s’dihet nëse kjo ftesë do të pranohet nga Kurti dhe Vuçiç.
Ne kemi ftuar z.Kurti dhe z.Vuçiç për një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ky takim të ndodh shumë shpejt.
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i thirrur nga Bashkimi Evropian, sipas medias së afërt me pushtetin serb “Novosti”, pritet të mbahet të dielën në mbrëma ose në mëngjesin e ditës së hënë të 21 nëntorit, datën kur fillon edhe faza e dytë e implementimit të vendimit për targat, gjobitja.
Aktualisht zyrtarët evropianë janë duke zhvilluar diskutime të dendura me të dyja palët për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.
Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave.
Kjo ka ngritur shqetësimin e zyrtarëve perëndimorë të cilët thonë se situata është në prag të një krize tjetër dhe duhet gjetur një rrugëdalje përmes një qasjeje strukturore.



