Komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha në emisionin “Fact Check” se KSHZ do të synojë të zgjedhë një operator ndërkombëtar për votimin me postë të emigrantëve në zgjedhjeve. Ai vuri në dukje se nëse kjo përpjekje dështon do të konsiderohet Posta Shqiptare si operator. Po ashtu Celibashi shtoi se fleta e votimit do t’i dërgohet personalisht çdo votuesi, qoftë edhe atyre të së njëjtës familje.

“Sipas Kodit Zgjedhor ne kemi detyrimin që të shikojmë paraprakisht mundësinë e realizimit të dërgimit të fletëve të votimit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet një operatori me emër ndërkombëtar, dhe nëse do dështojmë në përpjekjen tonë, atëherë do të ngelet të konsiderohet shërbimi i Postës Shqiptare. Jam i bindur që do gjejmë një zgjidhje që një operator ndërkombëtar do dërgojë fletët e votimit te votuesit jashtë Shqipërisë dhe kthimin e tyre mbrapsht. Për një dërgesë kostot janë relativisht të larta të dërgimit të një dokumenti nga Shqipëria në Itali, Greqi, SHBA. Por me siguri që operatorët do japin një çmim më të ulët se ai i afishuar. Ne kemi kalkuluar një çmim mesatar vajtje-ardhje 45-50 euro. Për çdo votues do dërgohet fleta e votimit në mënyrë të personalizuar. Familja mund të jetë prej 10 anëtarësh dhe do dërgohen 10 zarfe, dhe do t’i dërgohet secilit individualisht”.
I pyetur si do respektohet ligji për fushatat dhe shpenzimet jashtë vendit, Celibashi tha: “Sa i takon shpenzimeve ka disa parashikime në ligj, ku subjektet duhet të deklarojnë paratë që shpenzojnë në fushatë. Por mënyrën si e zhvillojnë fushatën jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nuk ka parashikime. Nuk mundet të ketë ligji jonë juridiksion në territorin e një vendi të huaj”.
Celibashi tha që të burgosurit jashtë vendit mund të regjistrohen për të votuar. Ai shtoi se aplikacioni “Per” në 11 janar do të jetë gati dhe i sigurt 100 për qind.
Ndër të tjera kreu i KSHZ tha se jemi ende administratës civile për procesin zgjedhor, dhe për këtë do të duhet ende kohë.



