Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla thotë se Ilir Meta është zgjedhur President me votat e PS-së dhe nëse nuk është dakord për këtë mund të kthejë votat dhe të bëjë çfarë të dojë me partinë e tij.
Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kandidatit të LSI-së për Tiranën, Ardit Çela, i cili i është përgjigjur Taulant Ballës, kur deklaroi më herët që Meta mos të kërcënojë si Gruevski për mosdekretim të qeverisë së pas 25 qershorit.
Balla ishte i pari nga PS-ja që reagoi ndaj deklaratës së Presidentit të zgjedhur se nuk dekreton asnjë qeveri nëse preket vota e shqiptarëve.
Reagimi i plotë i Taulant Ballës:
Ilir, të kemi dhënë votën për t’u bërë president!
Por edhe kjo që po bën si President i zgjedhur nuk shkon, sepse po teprohet. Je president i zgjedhur edhe me votat tona, ose na kthe votën dhe bëj çfarë të duash me ish-partinë apo partinë tënde!
Jo vetëm s’mund të kërcënosh askënd, dhe ne socialistët jo e jo, po s’mundet as të na fusësh në një luftë politike demode për interesat e LSI.
Ne të bëmë kryetar shteti, me besimin për të qenë figura mbi palët që i duhet vendit, jo për të të pasur si figurë përçarëse. Partia Socialiste është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë votën, për t’i dhënë fund parcelizimit të administratës shtetërore nga partitë. Nëse LSI nuk bashkohet dot me ne për këtë qëllim të madh në rrugën për të bërë shtet, kjo është puna e saj.
Ne s’jemi LSI, por jemi forca më e madhe politike shqiptare dhe detyra jonë është të bëjmë shtet. Duan apo s’duan partitë e vogla.
Por shantazhet alla Gruevski janë jo vetëm antidemokratike, por edhe të papranueshme për një President të zgjedhur të Shqipërisë. Ashtu siç janë të papranueshme edhe sharjet e akuzat lumë për Edi Ramën dhe për marrëveshjen që ai bëri me Lulzim Bashën në interes të Shqipërisë, të cilën edhe Presidenti i zgjedhur e përshëndeti.
Po përveç se të papranueshme, për ju si President i zgjedhur edhe me votën e Edi Ramës, janë edhe qesharake për Ilir Metën! Sepse vetëm Ilir Metës, edhe si mik i Saliut, s’i takon të flasë për errësira dhe për transparencë.
Boll më, se u trash fare kjo punë me çorodinë tuaj; dhe na lini ne të bëjmë fushatën tonë, edhe LSI fushatën e vet. Ne s’kemi asnjë dëshirë të merremi me ish-partinë apo partinë tuaj.
Nuk kemi asnjë interes dhe dëshirë të hyjmë në këtë duel absurd, ku doni të na fusni me zor.
Ne e kemi të qartë drejtimin tonë.
Duam të flasim me popullin për drejtësinë, ekonominë, punësimin dhe gjithçka u intereson njerëzve.
REAGIMI I ARDIT CELES
Ti je Taulanti, te gjithë të njohin!…
Me shumë vonesë, po ja që u shfaq edhe Taulanti! Dhe mirë bëri se si mund të mungonte ai i kudoshfaquri, përherë gati e përherë i njëjti, i cili na qenkërka zemëruar prej vendosmerisë së LSI-së,për të mos lejuar askënd që të mund të prekë votën e lirë dhe vullnetin legjitim të shqiptarëve!
Po pse more Taulant, çfarë e di votën e shqiptarëve ti,si ato fletët e punësimeve për militantet e rilindjes së Edit që i plotësonin formularët në zyrën tënde?
Apo si tenderat e shumtë për tëe afërmit e tu?!…
O Taulant shiko kë ke pranë e merru me ta! Mos u merr me banditë e vëllezer banditësh se “vëllazëria” me ta nuk të mban gjatë! Është një lojë së cilës askush nuk ja ka parë hajrin! Mos u bëj zëmarrës e as zëdhenës për ta! Sepse nuk thonë kot në Librazhd “Taulanti ha në çdo çanak!…”
Dhe si mund të ndodhë ndryshe; ti je Taulanti, të gjithë të njohin!



