
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, deklaron se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart se sot, për shkak të pozicioneve të rëndësishme që ka marrë në arenën ndërkombëtare.
Po përmbyllim dy vite në Këshillin e Sigurimit në OKB, kemi patur Presidencën e OSBE. Është hera e parë që Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet jashtë vendeve të BE, e fakti që Shqipëria u zgjodh nuk është rastësi, por meritë e qeverisë shqiptare e Kryeministrit Rama.
Shqipëria renditet në pararojën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket ecurisë drejt BE.
Jemi gati për të mbajtur konferencën e dytë qeveritare mes Shqipërisë dhe BE, ndërkohë që kemi përfunduar procesin ‘screening’ në një sërë grup kapitujsh.
Ministri kërkoi që edhe Bashkimi Europian t’u qëndrojë angazhimeve dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor në projekte zhvillimi dhe përshpejtojë rrugën e afrimit të këtyre vendeve me BE.
Lajmi i mirë që vjen nga Samiti është që vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e një sërë procesesh të rëndësishme të zhvillimit të kësaj hapësire që është gjeografikisht në Europë, por të jetë edhe politikisht përmes përshpejtimit të procesit të anëtarësimit.
Konteksti gjeopolitik pas luftës në Ukrainë, apo edhe brenda Ballkanit Perëndimor pas situatës në veriun e Kosovës, sulme të cilat Shqipëria i ka dënuar ashpër, duhet të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit, si një zgjidhje për stabilitet në rajon.
Shqipëria qëndron pranë Kosovës dhe mbështet anëtarësimin e saj në BE dhe struktura të tjera euro-atlantike.
Rruga e këtij procesi kalon përmes koordinimit të vazhdueshëm, të përditshëm, me vendet që e bënë të mundur pavarësimin e Kosovës. Pa SHBA dhe BE ky proces nuk do kishte ndodhur.
Deklaratat e Ballës u bënë ditën e sotme pasi mori pjesë në festimet përkujtimore për 79-vjetorin e ditës së çlirimit të Fierit.



