
Raporti i ndërmjetëm për Shqipërinë (IBAR) ka kaluar nga grupi i punës COELA tek grupi i ambasadorëve të 27 vendeve të Bashkimit Europian.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, vlerësoi për edicionin e lajmeve në MCN TV se vendi po shkon drejt përmbylljes së procesit të negociatave dhe se nevojitet një vullnet më i madh nga të gjitha forcat politike për bashkëpunim në këtë proces.
Është një lajm i mirë që raporti po kalon te Konferenca e Ambasadorëve dhe më pas, pas miratimit të tij, pritet të mbahet konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Jemi drejt mbylljes së një procesi, dhe duket se kanë mbetur vetëm aspektet formale të tij.
Spaho theksoi se pavarësisht progresit, mbetet ende shumë punë për të përmbyllur negociatat brenda vitit 2027 dhe për synimin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Për këtë proces afatgjatë dhe të vështirë, është e domosdoshme që forcat politike të tregojnë vullnet për bashkëpunim, përtej ndasive partiake.
Ky është një proces që kërkon angazhim të qeverisë, por edhe opozita duhet të japë mbështetjen e saj politike, në mënyrë që të përmbushet një nga aspiratat më të mëdha të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimi në BE.
Shqipëria ndodhet në një situatë të favorshme dhe duhet të përfitojë nga ky moment, por kjo kërkon punë të madhe dhe përkushtim nga qeveria dhe institucionet përkatëse.



