
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë sot se e ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Të gjithë nga kori diplomatik që foli për këtë çështje shprehu shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj.
Unë vetëm mund të përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin. Ajo që shpresojmë të shohim është një pezullim në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë.
I pyetur nëse Qeveria amerikane mund të marrë veprime kundër Kosovës, nëse nuk i përgjigjet kësaj kërkese, Hovenier ka thënë se “shpresojmë që Qeveria të jetë partnere me ne”, duke shtuar që nëse ndodh e kundërta, kjo gjë “do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit tonë”.
Rregullorja e BQK-së parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.
Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.
Hovenier ka thënë se ndonëse Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Kosovës për respektim të Kushtetutës së vendit, SHBA-ja beson që duhet të ketë periudhë edukuese për rregulloren e re.



