Nga Himara ku shpërndau sot 436 tituj pronësie për shtëpitë e trashëguara kryeministri Rama hodhi akuza ndaj Fredi Belerit për përdorimin e çështjes së pronave për interesa politike.
Dhënia e këtyre certifikatave sipas kryeministrit tregon vullnetin e qeverisë për të zgjidhur çështjet e pronësisë në bregdet përkundër akuzave se tokat janë duke iu dhënë oligarkëve dhe klientëve të qeverisë.
Rama i orientoi qytetarët e Himarës, se në rast se duan pronën e tyre, duhet të trokasin tashmë në derën e Prefektit të Qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, i përfolur si kandidat i mundshëm në zgjedhjet që mund të mbahen në Himarë.
Por interesit të banorëve se kur do të marrin certifikatat e pronësisë së tokave, kryeministri nuk u dha një përgjigje.

Është folur shumë dhe është abuzuar shumë duke e treguar këtë çështje si një çështje që lidhet thjesht dhe vetëm me Himarën, madje ky abuzim është shfrytëzuar në mënyrë shumë djallëzore nga ata që nuk kanë asnjë qëllim tjetër, përveç shfrytëzimit të shqetësimit legjitim të banorëve, për të çuar përpara interesat e tyre shumë të ngushta politike. Interesa të ngushta politike që nuk kanë asnjë lidhje as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me fqinjët.
Pa e përmendur me emër, kryeministri akuzoi Fredi Belerin, se e ka shfrytëzuar politikisht problemin e pronave në Himarë, për interesa politike, duke lënë të kuptohet se nuk do të tërhiqet para asnjë presioni për çështjen e Himarës.
Megjithatë, ishte pikërisht kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri i cili tetorin e vitit të kaluar depozitoi një kallëzim penal në SPAK, për investimin strategjik të bashkëshortit të Olta Xhaçkës, Artan Gaçit në Gjilekë të Dhërmiut.
Pas 6 muajsh hetime, SPAK konkludoi në tjetërsim pronash dhe falsifikim dokumentesh nga ish-kryebashkiaku Jorgo Goro dhe zyrtarë të Kadastrës së Vlorës, nga e cila kishte përfituar Artan Gaçi, për të ngritur hotelin luksoz me 5 yje.
Goro u arrestua, kantieri i hotelit u sekuestrua, por kryeministri Rama nuk foli asnjë fjalë, si për këtë rast edhe për investimet e tjera strategjike në bregdetin e Himarës, por i priti me entuziazëm urimet e banorëve për fitore në zgjedhjeve.



