Pesë muaj në krye të punëve të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, e ngarkuara Nensi Van Horn ka publikuar 17 arritjet kryesore përgjatë vitit 2024, të cilat fillojnë me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antoni Blinken në Tiranë në shkurt e deri tek shpallja kampion antikorrupsion e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani në dhjetor.

Van Horn në një mesazh të shkurtër në shqip thotë se kur mbërriti në Shqipëri, pa se shumë punë po kryhej, ndërsa mirëpret që të punojë sërish në 2025 për të forcuar demokracinë, partneritetin në fushën e mbrojtjes dhe lidhjet me bizneset.
Kur erdha këtu në gusht pash që shumë punë ishin duke u kryer. Jam krenare për çfarë kemi bërë së bashku për të forcuar demokracinë e Shqipërisë, për të ndërtuar partneritetin tonë në fushën e mbrojtjes dhe për të rritur lidhjet e biznesit.
Ajo e mbyll mesazhin me një urim të përbashkët nga stafi dhe personeli që punojnë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë.
Mirëpres të vazhdojmë të punojmë së bashku vitin që vjen. Nga të gjithë ne, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar Vitin e Ri.
E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nensi Van Horn ka qenë aktive në 5 muajt e parë të saj në Shqipëri, duke kryer disa takime radhazi me drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin, duke theksuar fort se ky institucion po lihet i vetëm nga Policia dhe institucione të tjera, ndërsa ka inkurajuar prokurorët e gjyqtarët të marrin vendime pavarësisht presioneve nga politika apo krimi i organizuar.



