
Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri u betuan sot në orën 10:00 në Presidencë, për të nisur punën për mandatin e tretë qeverisës.
Presidenca njoftoi se anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese.
Ndërkohë kryeministri ka bërë betimin mbi kushtetutë, ndërsa ministrat qëndrojnë në rresht në dy anët e sallës së madhe ku është kryer ceremonia.
Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”
Gjatë kësaj ceremonie solemne ishin të pranishëm kryetari i Kuvendit, Lindita Nikolla dhe anëtarët e kabinetit të Presidentit të Republikës.
Edi Rama është emëruar kryeministër në fillim të Legjislaturës X, me dekretin e Presidentit të Republikës në datën 10 shtator.
Ndërsa ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e qeverisë së re morën votëbesimin në Kuvend me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim.



