Ish-deputeti demokrat Asllan Dogjani prezantoi ditën e sotme kandidaturën në primare për Bashkinë Kamëz.
Duke kërkuar mbështetjen e demokratëve, Dogjani tha se në zgjedhjet e vitit 2013, por dhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, demokratët, qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit e besuan duke e votuar si kandidat të Partisë Demokratike për Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo më ka inkurajuar dhe më ka nxitur që unë sot, të shpall zyrtarisht kandidaturën time për kryetar të Bashkisë Kamëz. Vlerësimin që më kanë bërë me votë dëshiroj t’ua kthej me punë duke ju afruar kohën dhe shërbimin tim në interes të çdo demokrati e qytetari të Kamzës dhe Paskuqanit.
Vizioni im është për një qytet më të sigurt, të pastër, të zhvilluar ku ekonomia të rritet për të gjithë, ku fëmijët tanë të rriten të shëndetshëm dhe të suksesshëm në shkolla, ku familjet të mos kenë nevojë të rrezikojnë jetët e tyre siç ndodh sot, për të shkuar në emigracion por të jetojnë me respekt dhe dinjitet në vendin e tyre.
Vizioni im është qe me punë ta bëjmë Kamzën një qytet europian me mundësi e hapësira të barabarta për të gjithë, me parqe e lulishte, rruge me standarde e cilësi te lartë.
Do krijoj një mjedis miqësor për biznesin dhe sipërmarrësit. Do të bëj gjithçka, do të bëjë çmos duke u krijuar mundësi e hapësira të rinjve që janë larguar për t’u kthyer në vendin e tyre, të investojnë, dhe të krijojnë bizneset e tyre.
Do bëjmë çdo gjë që edhe shtëpia e fundit në Kamzë dhe Paskuqan të ketë ujë pa ndërprerje, rrugë e kanalizime. Nuk do të mbetet më asnjë shtëpi e pa legalizuar.
Të gjithë do të kenë të drejtë riparojnë shtëpitë e tyre pa qenë nevoja për te marr leje dhe jo siç ndodh sot që po nuk pagove nuk të lejojnë për të riparuar çatinë e shtëpisë.
Dogjani iu bëri thirrje demokratëve dhe simpatizantëve të PD, në Kamzë dhe Paskuqan, që me datën 4 dhjetor të marrin pjesë masivisht për të zgjedhur se kush do të jetë kandidati për kryetar të Bashkisë Kamzë.



