
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti Ambasadorin e ri të Serbisë, Slobodan Vukceviç.
Ambasadori Vukceviç e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe shprehu vullnetin e Parlamentit dhe Qeverisë së Serbisë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë, si edhe të bashkëpunimit për perspektivën evropiane të rajonit.
Nikolla vuri në dukje se, “vitet e fundit marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë pasuruar me zhvillime të reja, në saj të përkushtimit tonë për t’i shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal si dhe forcimit të sinergjive për evropianizimin e rajonit”.
“Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi ndërmjetësuar nga BE. Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm në këtë dialog rolin e partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara, dhe vlerësojmë përpjekjet e të Dërguarve Special të BE-së dhe SHBA-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajčák dhe Gabriel Escobar, dhe përshëndesim marrëveshjen mes tyre, të arritur në Bruksel. Përshëndesim gjithashtu takimet e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe besojmë në vazhdimin e dialogut”, tha Nikolla.
Gjithashtu, Nikolla, i përcolli Ambasadorit Vukceviç, interesimin e Shqipërisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, për prosperitetin e tyre dhe sigurimin e të drejtave që u takojnë, në përputhje me detyrimet e normat ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian, përfshirjen më të madhe në jetën socio-ekonomike të Serbisë, si edhe për çështje të tjera si pasivizimi dhe çregjistrimi i adresave, mësimdhënia dhe tekstet në gjuhën shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare etj.
Nikolla dhe Vukceviç biseduan edhe mbi fuqizimin bashkëpunimit parlamentar midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Kombëtare të Serbisë si edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, në fushën e turizmit dhe sektorë të tjerë.



