Analisti Pano Soko për protestën e së shtunës thotë se opozita shqiptare nuk është dimensionuar ende në mënyrë të tillë që të qëndrojë si ofertë politike përballë qeverisë.
Duke folur për “MCN Live”, ai deklaroi se sot ka nevojë për një dalje nga vetja, kapërcim të vetvetes nga të gjithë aktorët politikë, duke filluar nga Sali Berisha.
Soko shtoi se populli duhet ta vlerësojë dhe pranojë opozitën si alternativë dhe më pas të ndërmerren hapat për të rrëzuar qeverinë, duke u shprehur se ndërkohë po bëhet e kundërta ku opozita bën hapa për të rrëzuar qeverinë, pa qenë gati vetë gati.
Nuk ka protesta paqësore, ka mitingje dhe tubime paqësore, por protesta është protestë. Polici del me skafandër, gaz lotsjellës, bote me ujë. Ti del nga ana tjetër me maska. Nuk ka protestë paqësore, ka tubim paqësor. Tubim elektoral ose politik paqësor. Ditën pas zgjedhjeve skuadrat që luajnë në fushën politike janë dy, është qeveria dhe populli.
Opozita është një pjesë e veçuar e asaj që qëndron përballë qeverisë, por jo domosdoshmërisht e ndarë. Opozita është masa e dallueshme aty brenda që mund ta instrumentalizojë për interesin e vetë politik. Protesta është reflektimi i të gjithë pakënaqësisë që ka mbledhur populli, jo vetëm kërkesë e opozitës për të ardhur në pushtet. Instrumentalizimi politik që bëhet për përfitim vjen në momente të caktuara, kur kuptohet se kundërshtia ndaj qeverisë është e madhe dhe mund të instrumentalizohet.
Unë jam dakord që Rama është në pikën e vetë më të dobët. Është kryetari i një qeverie të korruptuar, një pjesë e madhe e kabinetit duhet të ishte në burg. Ajo e AKSHI-t ishte rënie totale e shtetit, tregon kalbjen e qeverisë Rama. Opozita teknike është pjesa e cila përpiqet të qëndrojë përballë qeverisë si alternativa e dytë, kur ky ikën, jemi ne. Opozita shqiptare që unë kam vënë re, sot për fat të keq akoma nuk është dimensionuar në mënyrë të tillë që të qëndrojë si ofertë politike përballë qeverisë.
Populli duhet ta vlerësojë dhe pranojë si alternativë dhe më pas ndërmerr hapat për të rrëzuar qeverinë. Por po bëhet e kundërta, opozita bën hapa për të rrëzuar qeverinë, pa qenë gati vetë për të rrëzuar qeverinë. Duhet ti japim popullit një alternativë, të na mbështesë populli ne dhe këmbën në gaz dhe nuk ndalemi deri sa të largohet qeveria.
Fakti që duam të mbajmë Berishën, a ia vlen sakrifica për të mos rrëzuar Ramën? Duhet të lëshojnë të gjithë nga pak. Berisha është i Partisë Demokratike, nuk e heq dot as Doshi, as Lapaj, as Shehaj. Kush është alternativa? Sot ka nevojë për një dalje nga vetja, kapërcim të vetvetes nga të gjithë aktorët politikë, duke filluar nga Berisha i pari.



