Po shoqërohet me debate seanca e sotme te Kuvendit të Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi që të anulohen me ligj gjobat e vendosura ndër vite nga IKMT-ja dhe që nuk janë ekzekutuar. Ndërkaq Gazment Bardhi iu kundërpërgjigj duke thënë se gjobat janë shfuqizuar me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe tashmë kërkohet nga përfaqësuesit e mazhorancës që t’i shpëtohet përgjegjësisë penale.
“Pyetja është shumë e thjeshtë, ky Parlament a e ka të drejtën me ligj që të anulojë gjobat? Po e ka. Tani a jeni dakord ju që ky Parlament me ligj të anulojë gjobat e paekzekutuara ndër vite të vendosura nga Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Ne i kemi numrat dhe do t’i anulojmë këto gjoba. Padiskutim. Janë gjoba të paekzekutuara ndër vite. Janë në pamundësi për t’i ekzekutuar këto gjoba”, tha Ulsi Manja.
“Në kundërshtim flagrant me vendimin e GJK institucionet në varësinë tuaj kanë vijuar të zbatojnë një ligj të shfuqizuar në vitin 2022 nga GJK. Ajo që po sillni këtu është zhbërja e një veprimtarie terrori anti-kushtetues ndaj qytetarëve të Shqipërisë, që GJK ua kishte shfuqizuar, dhe ju i gjobisnit qytetarët në këmbim të presionit për votë”, u shpreh Gazment Bardhi.



