
Që Edi Rama të gënjejë apo të ndryshojë qëndrim për hir të interesave vetjake politike, kjo nuk është aspak diçka e re.
Një gënjeshtër qesharake ka qenë edhe përbetimi i tij dy vite më parë se në Shqipëri nuk do të ndërtohen kampe refugjatësh.
Asokohe kishte pasur një debat të nxitur nga mediat britanike për shndërrimin e Shqipërisë në një vend pritës të klandestinëve që mbërrinin në ishull.
Pra, Shqipëria përflitej se do të ishte një lloj Ruande në Europë për të strehuar përkohësisht ata që dyndeshin në Britaninë e Madhe.
Rama u tregua i prerë gjatë një komunikimi me gazetarët në nëntor 2021 teksa iu tha. “Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë!”.
Ndërkohë dje ai fluturoi me charter në Romë për të finalizuar marrëveshjen e mbajtur sekret e të negociuar me kryeministren italiane Giorgia Meloni gjatë pushimeve të saj në vilën qeveritare në Vlorë.
Përbetimi i Ramës për të mos lejuar kampe refugjatësh të vendeve të pasura në Shqipëri ka rënë. Në kulmin e krizës së emigrantëve që zbarkojnë në Itali, Rama i ka hedhur Melonit një komerdare shpëtimi për të lehtësuar disi krizën.



