Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, thotë se procesi i rinumërimit të votave, provoi një proces zgjedhor tërësisht të dështuar.
Nga studio e “MCN Live” ai deklaroi se ne patëm një proces tërësisht të dështuar dhe se futja e duarve në kutitë e votimit, treni bullgar, janë prova alarmante që këtë proces e bëjnë nul.
Sipas tij, Partia Demokratike po e çon deri në fund njollosjen e këtij procesi, me provat dhe faktet që po dalin.
Rinumërimi është një goditje përfundimtare ndaj procesit, qeverisjes dhe sistemit. Një faj të konsiderueshëm ka dhe opozita, pasi opozita është institucion që garanton procesin, kontrollon 100% të kutive të votimit, por asnjëherë nuk e merr kurajon.
Është momenti ta themi që komisionerët partiakë kanë dështuar, disa e kanë shitur shpirtin, pasi komisionerët e PD kanë të drejtën e firmës, sy dhe mendje për të kontrolluar procesin.
Ajo që bie në sy, është se kemi një sistem zgjedhor tërësisht të dështuar dhe problematik, që dy partitë kryesore e kanë bërë mes tyre në mënyrë bipolare, për të mos lejuar futjen e forcave të reja politike.
Vetëm nga ky sistem, dy qarqet staliniste Fieri dhe Vlora i kanë dhënë mazhorancës 13 mandate, që këtu je me një sistem të pabarabartë. Është krim zgjedhor. Kemi disa goditje që kjo mazhorancë ka bërë.
E para kemi një vendim antikushtetues të kësaj qeverie që iu jep pensionistëve dy pagesa për zgjedhje, kemi faljen e gjobave, kemi ndërhyrjen e grupeve kriminale, administratën zgjedhore. E kemi të gjithë tablonë e madhe se çfarë është bërë para kutive.
Ka shumë rëndësi kur një votë e qytetarëve është devijuar. Partia Demokratike po e çon deri në fund njollosjen e këtij procesi, me provat dhe faktet që po dalin.
Nuk ka rëndësi nëse ndryshon rezultati apo jo, por iu tregon qytetarëve shqiptarë dhe opinionit ndërkombëtar se me këtë qeveri dhe me këtë sistem nuk bëhen zgjedhjen.
Këta kanë blerë edhe komisionerët e opozitës. Duhet të jetë një proces që të zbulohen me emra.



