
Pas vendimit të qeverisë për ngritjen e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke ka reaguar edhe Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet. Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se ndjek më shqetësim faktin që qeveria shqiptare po bën hapa pas në çështjen e varrezave.
"Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ndjek me shqetësim faktin që qeveria shqiptare po bën hapa pas në çështjen e varrezave të ushtarëve grekë. Beteja për ngritjen e varrezave te reja, në kufijtë e fantazmave të Vorio- Epirit është e papranueshme dhe në praktikën ndërkombëtare, ku për ushtarët e rënë në territorin e një shteti tjetër, ngrihet vetëm një varrezë simbolike", thuhet në deklaratën për media.
Më tej kjo parti thotë se për ushtarët e rënë në territorin e një shteti tjetër, ngrihet vetëm një varrezë simbolike ashtu siç është ngritur për ushtarët britanikë e francezë.
"PDIU i bën thirrje qeverisë që të mos vazhdojë me varret e ushtarëve pushtues grekë, por të kërkojë ngritjen e varrezave për shqiptarët e Çamërisë. PDIU i kujton qeverisë shqiptare se paketat e deklaruara të bisedimeve, nuk mund të përmbajnë vetëm interesat e Greqisë, por zgjidhjet duhet të bazohen mbi reciprocitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve. Por, ndërkohë që nuk ka asnjë prononcim mbi bisedimet e Kretës, po shohim avancim të kërkesave greke, pa përparim në kërkesat shqiptare", vazhdon deklarata.
PDIU pret me shumë interes zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve siç është ajo për Ligjin e Luftës, Marrëveshjen e Ujrave, atë të kufijve tokësorë, të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, të drejtat pronësore të shqiptarëve në Greqi, marrëveshjen për sigurimet shoqërore, avancimin e statusit te minoritetit etnik shqiptar për shqiptarët që jetojnë në Çamëri e gjetkë.
Vendimi i mor në mbledhjen e 13 dhejtorit nga qeveria shqiptare në kuadër të një marrëveshjeje të bërë në kohën e Berishës.



