Ish-kryeministri Berisha tha sot se opozitës i mbetet vetëm opsioni i djegies së mandateve përballë maxhorancës që sipas tij shkel Kushtetutën për të futur në dorë të gjitha organet e drejtësisë.
Në përfundim të seancës ku Arta Marku u votua si kryeprokurore e përkohshme, Berisha u shfaq para mediave në të njëjtën kohë me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke folur në emrin e tij personal, Berisha tha se opozita duhet të djegë mandatet, por për Kryemadhin, kjo do të ishte një kosto e madhe.
“Nuk është çështje e djegies së mandatave, mandatet tona janë mandate gjaku. Duhet t’i djegin ata që i kanë mandate me paratë e drogës”, tha kryetarja e LSI, duke akuzuar kryeministrin Rama dhe maxhorancën.
“Ne do t’i drejtohemi popullit dhe do të bëjmë çfarë të thotë ai”, u shpreh Kryemadhi.



