
Presidenti Ilir Meta i është rikthyher përsëri çështjes së dekretimit të kandidaturës së Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm, duke u shprehur se nuk do t'ia lejonte asnjëherë vetes të shkelte Kushtetutën.
“Që ditën që kam pranuar këtë detyrë, e cila është detyra e lartë në vendin tonë dhe kam vënë dorë mbi Kushtetutë kam marrë përsipër të gjithë përgjegjësitë për të respektuar Kushtetutën. Për rastin konkret është krijuar një situatë, por jo nga mua. Jam i bindur që kam vepruar në inters të respektimit të Kushtetutës dhe interesit publik dhe kam për të gjitha përpjekjet e mia për të dhënë një zgjidhje të drejtë. Çështja e emërimit të një ministri, është një çështje që kërkon bashkëpunimin e tre institucioneve, Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit”, tha Meta.
Sipas kreut të shtetit, arsyeja e rrëzimit të dekretit të parë ishte se kemi të bëjmë me sqarimin e situatës së ushtarakut dhe ministrit të cilat janë të papajtushme me Kushtetutë.
“Çështja është më e qartë për opinionin pas iniciativës së dytë të Ramës për të propozuar sërish kandidaturën e zotit Lleshi. Pyetjet që unë bëra publike e sqarojnë. Kemi të bëjmë me sqarimin e situatës së ushtarakut dhe ministrit të cilat janë të papajtushme me Kushtetutë. Unë nuk kam marrë asnjë vendim. Unë po bashkëpunoj për të sqaruar. Ne po vazhdojmë diskutimet aktualisht. Një shkelje e qartë e kushtetutës është një përgjegjësi e madhe e presidentit”, tha Meta.
Meta iu përgjigj edhe pyetjes nëse ka pasur presione nga ndërkombëtaret për dekretimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm?
“E rëndësishme të jetë funksionale Kushtetuta”, u shpreh Meta.
Afati për të dekretuar Sandër Lleshin si ministër i Brendshëm skadon ditën e premte. Kreu i shtetit ka më shumë se 24 orë për të marrë një vendim nëse do dekretojë ose jo propozimin e kryeministrit Rama, dërguar në Presidencë për herë të dytë.



