
Numërimi i votave me postë do të nisë sot prej orës 11:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.
Ky proces nis pas pranimit të votave nga jashtë për periudhën nga 15 shtatori e deri më 15 tetor.
KQZ në mbledhjen e djeshme ka bërë të ditur se ka aprovuar 9 mijë e 610 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, ndërsa ka refuzuar 1 mijë e 324 nga gjithsej 10 mijë e 934 fletëvotime të pranuara.
Shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se numërimi i votave me postë do të fillojë në ditët e ardhshme.
“Janë 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime të ardhura përmes postës, numri i pakove të aprovuara është 9 mijë e 610, ndërkaq i atyre të refuzuara është 1 mijë e 324. Në ditët në vijim do të fillojë procesi i numërimit të votave me postë”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ-së.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ kanë akuzuar Partinë Demokratike të Kosovë (PDK) si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për vjedhje votash në vendvotimin në Fushë-Kosovë.



