Krerët e shtetit dhe politika homazhe në nderim të Servet Pëllumbit

Krerët e shtetit dhe politika homazhe në nderim të Servet Pëllumbit


Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi, u përcoll sot për në banesën e fundit nga familjarë, miq, të afërm dhe bashkëpunëtorë. Ai u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 89-vjeçare.

 

Ceremonia e homazheve u zhvillua në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku morën pjesë personalitete të politikës, akademisë dhe shoqërisë civile, të cilët nderuan figurën dhe kontributin e tij në jetën publike të vendit.

 

Krerë të shtetit, drejtues të lartë dhe përfaqësues të politikës i dhanë lamtumirën e fundit akademikut dhe politikanit socialist, duke vlerësuar rolin e tij në zhvillimet politike të Shqipërisë.

 

Kryeministri Edi Rama u shpreh se, pavarësisht dallimeve që kanë pasur në të kaluarën, me kalimin e kohës mes tyre ishte krijuar një afrimitet i ndërsjellë, ndërsa e cilësoi Pëllumbin si një pikë referimi.


“Profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të epokave, si dhe për këdo që dëshiron të kuptojë dinamikat e historisë së Partisë Socialiste. Ajo që mbetet më e rëndësishme është kujtimi që ai lë pas”, u shpreh Rama.

 

Servet Pëllumbi ishte një nga figurat kyçe të zhvillimeve politike në Shqipëri që nga fillimet e tranzicionit.

 I lindur në Korçë në vitin 1936, ai ndërtoi një karrierë të gjatë si profesor i filozofisë, duke kontribuar me dhjetëra botime dhe studime shkencore.

Pas viteve ’90, ai u bë një nga figurat kryesore në reformimin e së majtës shqiptare, duke luajtur rol të rëndësishëm në transformimin e Partisë Socialiste dhe orientimin e saj drejt vlerave demokratike evropiane.

 

Kulmi i angazhimit të tij institucional ishte drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2002–2005, periudhë gjatë së cilës u dallua për një stil drejtimi të bazuar në konsensus dhe maturi, duke fituar respekt si nga aleatët, ashtu edhe nga kundërshtarët politikë.

 

Për kontributin e tij të veçantë në forcimin e shtetit ligjor dhe kulturës politike, ai është nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy