
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot pasdite në Nju Jork, për të shqyrtuar raportin e radhës të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres rreth punës së UNMIK-ut.
Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Në raportin ku janë përmbledhur zhvillimet e fundit, ndër të tjera përmenden moslejimi i mbajtjes së referendumit dhe zgjedhjeve serbe në Kosovë, dialogu Kosovë-Serbi si dhe lufta në Ukrainë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 23 mars, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA-të njohura kolektivisht si Quint-shprehën “zhgënjim të madh” në Prishtinë për dështimin për të “demonstruar përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes civile dhe të drejtat politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare”.
Edhe çështja e suspendimit të kryetares së Gjykatës në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç si dhe protestat që pasuan këtë vendim janë përmbledhur në raport.
Poashtu theksohet se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë ka qenë i bllokuar që nga mesi i vitit 2021.
Pas një ndërprerjeje prej nëntë muajsh në bisedimet e nivelit të lartë, Vuçiç dhe Kurti u takuan më 15 qershor dhe 19 korrik 2021 nën kujdesin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak. Pas takimit, të dy liderët treguan se qëndrimet e tyre mbeten shumë të ndryshme”.
Më tej potencohet se marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme që nga informimi i fundit i Këshillit më 15 tetor 2021, por se lufta në Ukrainë ka ngritur shqetësime rreth tensioneve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.
Takimi i fundit i KS është mbajtur në tetor 2021, gjashtë muaj më parë dhe që nga ai takim nuk ka pasur ndryshime të mëdha në raportet midis Kosovës dhe Serbisë.



