
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u është drejtuar me një letër kryeparlamentarëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës mbi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të Rezolutës “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.
Përmes letrës ajo kërkon mbështetjen e tyre, të anëtarëve të parlamenteve si edhe të delegacioneve përkatëse në Asamblenë Parlamentare për “korrigjimin e këtij gabimi tragjik” ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.
Tutje ajo shkruan se bëhet fjalë për të drejtën e Shqipërisë, si edhe të Kosovës, për të rivendosur dinjitetin e nëpërkëmbur nga disa dyshime tërësisht të pabazuara dhe të pavërteta mbi trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë.
Me anë të kësaj letre dëshiroj të sjell në vëmendjen Tuaj një çështje mjaft të rëndësishme që lidhet me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut si vlera thelbësore të sistemit demokratik dhe të qytetërimit bashkëkohor, të cilat qëndrojnë në themelet e Këshillit të Evropës, ku të dy vendet tona janë anëtare.
Bëhet fjalë për të drejtën e vendit tim, Shqipërisë, si edhe të Kosovës, për të rivendosur dinjitetin e nëpërkëmbur nga disa dyshime tërësisht të pabazuara dhe të pavërteta mbi trafikun e organeve njerëzore në Shqipëri e Kosovë, që pretendohet të jenë kryer nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Nikollës, rezoluta i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të hartojë një raport vijues mbi Rezolutën 1782 (2011), në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade.
Teksi i Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë iu dërgua autoriteve dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 12 gusht 2022, përfshi dhe lutjen që t’i njoftohej secilit vend anëtar të Këshillit të Evropës.
Më 12 tetor 2022, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin bëri të njohur dhe përmbajtjen e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë si edhe pathemeltësinë e akuzave mbi të cilat ishte miratuar Rezoluta e Këshillit të Evropës.



