Arsen Rusta ka dhënë detaje për MCN Live mbi seancën ku do të vlerësohet masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe biznesmenëve të tjerë në hetim nga SPAK. Rusta bën me dije se mbrojtja e Veliajt kërkon përjashtimin e prokurorit Ols Dado nga çështja dhe vendosjen e masës “detyrim paraqitje”. Ndërkaq mbetet për t’u parë nëse do legjitimohet nga gjykata avokati amerikan Joshua Roberts, pasi aktualisht ai s’e ka një akreditim.
“Prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani kërkojnë që SPAK të vazhdojë hetimet me masën arrest në qeli për Veliajn dhe Abulen. Mcn Live ka mundur të mësojë se mbrojtja e z.Veliaj ka disa kërkesa si përjashtimi i Ols Dados, masa detyrim paraqitje, ose garancia pasurore. Nga ana tjetër Veliaj ka argumentin se po pengohet të ushtrojë mandatin e fituar përmes zgjedhjeve.
Ligjërisht avokatët e huaj duhet të regjistrohen në një nga Dhomat e Avokatisë së Shqipërisë dhe të kenë procesin juridik të akreditimit. Joshua Roberts aktualisht s’e ka një akreditim në sallën e gjyqit. Do duhet që ai të legjitimohet ose jo nga gjykata. Do jetë si këshillues, koordinator i procesit, apo ndjekës në distancë kjo mbetet për t’u parë”.
I pyetur kur mund të marrim një informacion mbi vendimin e Apelit, Rusta tha: “Parashikohet rreth orës 13:00 ose 14:00 të kemi një vendimmarrje, pasi kemi 5 subjekte që kanë ankimuar, dhe do duhen të paktën nga 30 minuta për secilin”.



