Partia Demokratike i cilëson si të paligjshme zgjedhjet që pritet të mbahen këtë të enjte në universitete.
Albana Vokshi tha se ato u heqin të drejtën studentëve të votojnë dhe nuk garantuan fushatë të barabartë për pedagogët.
“Zgjedhjet në universitete, që do të mbahen nesër, janë në kundërshtim me ligjin dhe në shkelje të plotë të të drejtave të studentëve për të zgjedhur. Ato nuk kanë asnjë ndryshim nga proceset e tjera, të organizuara nga kjo qeveri, ku vota nuk ka asnjë rëndësi. Këto zgjedhje janë pa garë dhe pa votues. Disa komisione zgjedhore ja pa legjitimitet dhe me mandat të mbaruar. Pedagogëve u është hequr mundësia të bëjnë fushatë, për shkak të pandemisë.Këto padrejtësi dhe paligjshmëri burojnë nga urdhri i Ministres së Arsimit për të zhvilluar më 30 korrik zgjedhje farsë në universitete”, tha Vokshi.
Zgjedhjet në universitete janë konsideruar të paligjshme edhe nga studentët, të cilët përmes një letre publike, ata i janë drejtuar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ku i kërkojnë të mos i njohë dhe dekretojë kandidatët fitues të zgjdhjeve të mbajtura më datë 30 korrik 2020.
“Përfaqësuesit e zgjedhur prej një shumice të dalë nga pakicat e votuesve nuk mund të jenë legjitime dhe nuk mund ta përfqësojnë shumicën reale, të cilës i mohohet e drejta e votës”,-thuhet në letrën drejtuar Presidentit.
Kjo kërkesë e studentëve mbështetet në ligjin e arsimit të lartë, neni 39, pika 8, sipas të cilit është Presidenti i Republikës ai i cili dekreton rektorët e institucioneve të arsimit të lartë.



