Angazhimi i përbashkët i partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë dhe angazhimi i tyre për të ndërtuar një platformë të përbashkët politike është përshëndetur edhe nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.
Ilir Meta thotë se fryma e kësaj marrëveshjeje është një ogur i mirë që tregon për përgjegjshmërinë në rritje të faktorit politik shqiptar ndaj çështjeve me rëndësi kombëtare e rajonale. Ai beson se kjo marrëveshje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndëretnike në Republikën e Maqedonisë.
Kryetari i Kuvendit Meta është i bindur se ky akt i rëndësishëm politik është një gur i rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryetari Meta inkurajon Partitë Politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë të respektojnë dhe të zbatojnë seriozisht këtë marrëveshje, të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për të gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe për të ardhmen e tij euroatlantike.



