
Partia Demokratike ka akuzuar sot përmes një deklarate për mediat kryeministrin Edi Rama se i ka dorëzuar çelësat e qeverisjes së Shkodrës, Tom Doshit. Sipas selisë blu është Tom Doshi që vendos se kush hyn në punë, kush bëhet shef dhe drejtor, dhe kush merr tendera në Shkodër.
“Edhe pse i shpallur Non Grata nga SHBA, Edi Rama e ka emëruar Tom Doshin si drejtues politik dhe shef të fushatës së kandidates së PS-së në Shkodër”, deklaron PD.
DEKLARATA
Lidhja e vetme e Ramës me Shkodrën është Non Grata – Tom Doshi. Edi Rama i ka dorëzuar Tom Doshit çelësat e qeverisjes së Shkodrës.Tom Doshi vendos, kush hyn në punë, kush bëhet shef dhe drejtor, kush merr tendera, kush bëhet deputet e së fundmi, siç e thotë dhe vetë, kush kandidon për kryetare bashkie.
Edhe pse i shpallur Non Grata nga SHBA, Edi Rama e ka emëruar Tom Doshin si drejtues politik dhe shef të fushatës së kandidates së PS-së në Shkodër. Edi Rama bëri sikur e largoi Tom Doshin pas shpalljes Non Grata, po çdo shqiptar e di, e më shumë se kushdo tjetër socialistët shkodranë, e dinë se pa miratimin e Tom Doshit nuk bëhet asgjë.
Edi Rama nuk ndahet nga Non Gratat, të korruptuarit dhe kriminelët. Sepse pa ta, ai, asnjë ditë nuk do të qëndronte në pushtet.



