
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi sot një takim virtual konsultativ mbi projektaktin për rregullat e regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të diasporës shqiptare, të partive politike, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shoqërisë civile.
Projektakti për rregullat e regjistrimit të votuesve nga jashtë është dërguar për konsultim tek grupet e interesit në muajin korrik dhe takimi kishte për qëllim shkëmbimin e ideve dhe sugjerimeve për aspekte të ndryshme të tij.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se KQZ ka synuar të hartojë një projektakt në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor dhe të përshtatur për në mënyrën më të mirë të mundshme zgjidhjen e duhur.
Komisioneri theksoi se propozimet e parashtruara nga aktorët e përfshirë në këtë proces do të reflektohen në projektakt.
Grupi i punës i ngritur në KQZ me përbërje nga stafi i KQZ-së, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe diaspora shqiptare do të vijojë punën për hartimin e të gjithë kuadrit normues për votimin nga jashtë vendit brenda muajit shtator 2023.



