Takimi me trupin diplomatik, Rama: Fitorja ishte e ëmbël dhe e hidhur!

Takimi me trupin diplomatik, Rama: Fitorja ishte e ëmbël dhe e hidhur!

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbrëmjen e sotme takimin tradicional me trupin diplomatik në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama rrëfeu para diplomatëve ndjesitë e tij pas fitimit të mandatit të tretë.

Po ashtu, kreu i qeverisë u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi ku tha se është bërë në një angazhim të palëkundur duke marrë përsipër edhe kosto. Sipas kryeministrit koha kalon, por “figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Fitimi i një mandati të tretë nuk më bëri të ndjehem i pamposhtur, por më i përulur se kurrë karshi njerëzve të Shqipërisë, të cilët na e dhanë mua e partisë sime besimin ndërkohë që me plot të drejtë presin më shumë prej nesh. Më lini të rrëfehem këtu, për mua personalisht fitorja ishte njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur. Ndjeva se nuk kishim bërë mjaftueshëm për të shuar dasitë në një vend të përndjekur ende nga e shkuara ku lajmësi duhej vrarë përpara se sa të dëgjohej mesazhi e ku kundërshtari politik ende shihet, jo si një kundërshtar me të cilin duhet angazhuar, por si një armik që duhet shkatërruar. Pas një fitoreje të tillë, më përndjek më shumë se asnjëherë më parë, pafuqia e pushtetit për të ecur aq shpejt sa do të duhej me modernizimin e një vendi, i cili humbi aq shumë dekada përmes diktaturës e më pas rrumpallës, varfërisë absolute e më pas korrupsionit, nga shteti njëpartiak e më pas tek keqqeverisja. Kur këqyr me shpejtësinë frenetike të kalimit të kohës në detyrë përkundrejt shpejtësisë së mundshme të ndryshimit në vend, ndihem tejet i sekëlldisur. E di që ritmi i ndryshimit nuk mund të jetë kurrë mjaftueshmërisht aq i shpejtë sa duhet për t’ju përgjigjur vorbullës së dekadave të mbushura me aspirata që u rritën si dëshira të penguara. Le të marrim BE-në. Kemi bërë gjithka që duhej, vazhdimisht e vazhdimisht për të na dhënë dritën jeshile për hapin tjetër dhe sërish e sërish, na kanë penguar forca që janë përtej kontrollit tonë. Ky është fakt jetësor dhe ndërkohë që nde do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për ta bërë Shqipërinë çdo vit një shtet më të besueshëm, më funksional, më demokratik e më të ngjashëm me një anëtar të BE koha fluturon dhe frustrimi i shqiptarëve rritet. Të marrim reformën në drejtësi. Bëmë gjithçka u desh për të nisur reformën e drejtësisë pas 25 vitesh dështim. E bëmë me një angazhim të palëkundur duke marrë përsipër të gjitha kostot në një mjedis armiqësor e herë-herë edhe të rrezikshëm politikisht, duke u përballur me kundërshti edhe brenda ish-koalicionit tonë. U premtuam njerëzve se sistemi i ri i drejtësisë që sjell drejtësi për të gjithë më në fund po vjen dhe unë e besoj fort që është kështu. Por duhet kohë, shumë më tepër kohë, se sa koha që fluturon në mënyrë të pamëshirshme e kësisoj ndërkohë rezultatet vijnë thjesht shumë ngadalë për njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë pritur pafund që të jetojnë në një vend ku gjithkush është i barabartë përpara ligjit. Duhet durim, shumë më tepër se sa i ka mbetur këtij kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë. Të marrim luftën kundër korrupsionit. Kërkon vullnet politik dhe po, ne e kemi. Kërkon reforma në të gjitha fushat dhe po, i kemi ndërmarrë të gjitha këto. Kërkon modernizim dhe ne po punojmë pa pushim për këtë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy