Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha të martën ka vijuar takimet me bizneset në njësinë administrative nr.5 në Tiranë.
Basha tha se situata edhe në këtë lagje, një nga më të dendurat e Tiranës dhe pa diskutim zemër ekonomike e Tiranës, është shumë e vështirë.
Kryedemokrati theksoi se në dy-tre lokale që janë të hapura, numri i atyre që po pijnë kafe është edhe më i vogël se zakonisht, por tani do të jem hap pas hapi me ta për t’i pyetur sesi është gjendja e tyre, nëse kanë marrë apo jo ndonjë ndihmë.
Sipas tij, qeveria në vend që të ishte në krah të biznesit, në krah të familjeve në nevojë, i ka braktisur dhe i ka lënë në mëshirë të fatit dhe paratë e taksave të tyre nuk kanë shkuar për t’i ndihmuar ata, por kanë shkuar përsëri për të ndihmuar një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh.
“Kjo është arsyeja se pse kriza ekonomike në Shqipëri është më e thellë sesa në Kosovë, është më e thellë sesa në Maqedoninë e Veriut”, tha Basha.
Ai theksoi se në qoftë se vazhdon kështu, kriza do të thellohet edhe më shumë, do të jetë kriza më e thellë në të gjithë Ballkanin.
“Hapi i parë do të jetë që lekët e shqiptarëve të shkojnë tek njerezit, t’i japim fund prokurorimeve korruptive, tenderave sekretë, koncesioneve që po përthithin të gjithë paratë e njerëzve, t’i kthejmë ato në pagesa direkte, në radhë të parë për konsumatorët, për familjet në nevojë, për njerëzit që kanë humbur vendet e punës, që kanë humbur xhiron e tyre. Së dyti, përfitime për çdo biznes. Statistikat e fundit tregojnë se më pak se gjysma e atyre që duhet të përfitonin nga vkm-të gjysmake të qeverisë, nuk i kanë marrë këto para akoma”, tha Basha.



