
Pas dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, partnerët e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut e përjashtojnë mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, raportojnë mediat maqedonase.
Përfaqësuesit e të gjitha partive politike që përbëjnë shumicën parlamentare në Kuvend argumentojnë se zgjedhjet do ta çonin vendin drejt një krize jo vetëm politike dhe se dorëheqja e Zaev ishte e nxituar.
“Të gjithë partnerët e koalicionit ishin absolutisht kundër dorëheqjes së Zoran Zaev dhe e konsideruan të nxituar sepse këto janë zgjedhje lokale. Na presin shumë punë dhe nuk mund të lejojmë që ky vend të ngecë përsëri”, ka thënë Artan Grubi, zëvendkryeministër.
“Vazhdojmë të mbështesim këtë shumicë qeveritare. Nga takimi u dakorduam se në këtë situatë dhe pozicion politik që ndodhet shteti, zgjedhjet e parakohshme do të përkeqësonin edhe më shumë situatën në aspektin social, ekonomik, shëndetësor dhe të sigurisë. Ne kemi qenë kundër sepse nuk jemi konsultuar për këtë.”, është shprehur Arianit Hoxha, ministër i Bujqësisë.
Neni 93 i Kushtetutës thekson se qeveria, së cilës nuk i jepet votëbesimi, që ka dhënë dorëheqje apo që i është ndërprerë mandati për shkak të shpërndarjes së parlamentit, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ndërkaq, partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE kërkon sa më parë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Pritshmëritë janë që Zoran Zaev të zëvendësohet nga një përfaqësues i Lidhjes Social Demokrate, që do të ruante shumicën parlamentare ku bën pjesë Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe dy parti më të vogla.
Në ndërkohë nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski, zyrtarisht nuk është informuar për dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev.
Edhe nga Kuvendi informuan se dorëheqja e Zaevit nuk ka arritur tek ata, ndërsa thanë se në takimin e djeshëm koordinues me kryetarin Talat Xhaferi, nuk është biseduar fare për dorëheqjen e kryeministrit Zaev.



