OSBE/ODIHR publikoi dje raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit, ku evidentohen fenomene si presioni ndaj votuesve dhe administratës, përdorimi masiv i burimeve shtetërore dhe ndikimi i pushtetit mbi median.
Gazetari Mariglen Kume, i ftuar në emisionin “MCN Live”, vlerësoi se raporti nuk përmbante kritika ndaj KQZ-së dhe SPAK-ut, ndryshe nga pretendimet e opozitës që ka ngritur akuza ndaj këtyre institucioneve.
Në raport nuk kishte asnjë kritikë direkte për KQZ-në apo SPAK-un. Përkundrazi, OSBE/ODIHR vlerëson se zgjedhjet u menaxhuan mirë në aspektin administrativ. KQZ krijoi një platformë online për denoncime, çka mund të ketë ndikuar në uljen e kriminalitetit zgjedhor.
Problematika e shkrirjes së partisë me shtetin mbetet një çështje e vazhdueshme, e përmendur edhe në raportet e mëparshme.
Pas zgjedhjeve të 2021-shit theksova se fenomeni ‘parti-shtet’ është një problem që vazhdon.
Kjo ishte edhe arsyeja pse u ngrit Komisioni i Reformës Zgjedhore. Edhe këtë herë, megjithëse kishte pritshmëri të larta nga opozita, raporti nuk solli ndryshime thelbësore.
Opozita ka dërguar shumë denoncime në SPAK, por raporti i OSBE/ODIHR nuk përfshiu asnjë kritikë specifike për këto institucione. Ajo që mbetet problematike është përdorimi politik i administratës dhe avantazhi që krijon pushteti para zgjedhjeve.
Në përfundim, Kume shtoi se, pavarësisht përmirësimeve teknike në proces, hendeku mes partisë në pushtet dhe opozitës vazhdon të mbetet i thellë, çka tregon se “në mos nuk ka pasur progres, ka patur regres në aspektin e barazisë elektorale”.



