
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, reagon pasi ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë se ka fshehur informacionin se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare.
Meta thotë se McGonigal pranoi përfundimisht fajësinë e tij për të gjitha akuzat lidhur me Shqipërinë në Gjykatën Federale të Uashingtonit.
Në vijim deklaron se ai pranoi të gjitha faktet e Prokurorisë, përfshirë edhe takimet e paligjshme me Kryeministrin Rama.
U vërtetuan nga prokurorët dhe u pranuan nga McGonigal pagesat e paligjshme dhe korruptive për qëllime politike dhe financiare në këmbim të goditjes mafioze të opozitës duke keqpërdorur një zyrtar të lartë të FBI.
Pranimi i fajësisë nga McGonigal provoi përgjegjësitë penale që rëndojnë mbi Kryeministrin dhe detyrimin e drejtësisë shqiptare për të mbrojtur ligjshmërinë dhe interesin e lartë publik.
Përdorimi i zyrës së Kryeministrit për të asgjësuar pluralizmin politik në vend është shërbimi më i madh që i bëhet paligjshmërisë dhe veprimtarisë mafioze dhe kriminale.



