Debatet brenda Partisë Demokratike për garën për kryetar dhe përjashtimet e fundit kanë rikthyer tensionet në kampin opozitar. Gazetari Mariglen Kume në ‘MCN Informacion’ e konsideron situatën si një zhvillim që dëmton vetë PD-në dhe i shërben kundërshtarit politik.
Sipas Kumes, mënyra se si po trajtohen zërat kritikë brenda partisë bie ndesh me parimet e lirisë së mendimit dhe transparencës.
Kjo që po ndodh në PD është shërbimi më i keq që po i bëhet PS-së dhe kundërpërgjigjja më e keqe që PD i bën vetes. Të përjashtosh anëtarë pa asnjë lloj transparence, sidomos figura si Doris Madhi, e cila ka qenë shumë aktive në PD Elbasan, është e pajustifikueshme.
Kume thekson se përjashtimet e papritura dhe etiketimet si “tradhtarë” për individë që deri dje kanë qenë pjesë aktive e strukturave, krijojnë një standard të rrezikshëm brenda partisë.
Standardi që po ndiqet në PD është kundër fjalës së lirë. Kush mendon ndryshe nga Berisha apo ngre zërin, përjashtohet.
Sipas tij, kjo frymë përçarëse pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në performancën elektorale të demokratëve.
Kjo e zvogëlon Partinë Demokratike dhe nëse vazhdon me këtë frymë, që në zgjedhjet lokale do ta shohim më të dobët këtë parti.
Ai ndalet edhe te rasti i Ervin Salianjit, duke e konsideruar të paqartë ndryshimin e qëndrimeve ndaj tij.
Salianji mund të jetë politikani më i mirë apo më i keq, por në momentin që e vendos drejtues në një nga qarqet më të rëndësishme të vendit, ai ka peshë në PD. Është e çuditshme si u bë tradhtar duke qëndruar në burg. Një përjashtim i tillë lë shumë pikëpyetje.k



