Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Ardiatik Lapaj tha në “MCN Live” se PD-ja çedon në kartën morale përballë mazhorancës, pasi humbi mundësinë e artë për t’i marrë PS-së çdo gjë në raport me Kodin Zgjedhor dhe hapjen e listave. Lapaj tha se protesta para bashkisë s’ka kuptim kur PD ka votuar pro amnistisë penale të zyrtarëve të korruptuar.
“Nuk ka të verbër më të madh se kur nuk do të shikosh. Rama mund të ketë të gjithë të zezat e kësaj bote, unë kam kritika ka fund, problemi është që problemet që ka Rama s’janë të vetmet që e kushtëzojnë demokratizimin e Shqipërisë, janë edhe problemet e Berishës, e me radhë. Në korrik opozita kishte mundësinë e artë kushtetuese për t’i marrë pozitës çdo gjë në lidhje më Kodin Zgjedhor, kishte një vendim të GJK për votën e diasporës, dhe për hapjen e sistemit, listave dhe herësit, që ia linte Parlamentit. Pushteti aktual s’shkonte dot në zgjedhje pa adresuar këto dy vendime, pasi në të kundërt vendimet do zhbëheshin. Nëse opozita s’do t’i jepte votat pushtetit, pushteti do shkonte në zgjedhje të paligjshme, gjë që s’mund ta bënte. I çuan një propozim që i mbyll listat më shumë. E gjithë lufta këtu u bë që disa burokratë të PD-së të ishin në Parlament, s’u mendua për demokratizimin e vendit. Çfarë kuptimi ka ajo protesta para bashkisë kur ti drejtorët e “5D”-së i amniston?! S’mund të amnistosh njerëzit e dënuar për korrupsion. Ti si opozitë po cedove te karta morale, te parimet, s’e mund kurrë pushtetin, sepse ka logjistikë dhe infrastrukturë më të madhe”.
Lidhur me “ankesat” e Begajt për Erdogan-in, Lapaj tha se Presidenti s’gjeti vendin e duhur, por ai vuri në dukje se institucioni i kreut të shtetit është lënë në mëshirë të fatit, pa sistem ngrohje-ftohje.
“Presidenca e Republikës nuk ka sistem ngrohje-ftohje. Bashkia s’i ka dhënë leje të bëjë sistemin e kondicionimit. Makinat e Presidencës janë makina që ngelen rrugës. Ka ndodhur që pret eksorta rrugës karrotrecin. Ai gjeti vendin e gabuar, por që ai institucioni aty është lënë në mëshirë të fatit”.



