
Deputeti i PD, Belind Këlliçi iu drejtua për herë të fundit kolegëve nga foltorja e Kuvendit para nisjen së ‘betejës’ politike të radhës.
Këlliçi dorëzoi mandatin e deputetit për të vijuar me fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku ai do të përballet me alternativën e socialistëve për Tiranën, Erion Veliaj.
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës në fjalimin e tij të fundit drejtoi disa mesazhe, por edhe kritika jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj Partisë Demokratike.
Me shumë kolegë të PD-së, jemi munduar të qëndrojmë fort në mbrojtje të interesit publik, të ngremë kauza, të luftojmë korrupsionin, si me denoncimet që kemi bërë, apo me raste konkrete si ai i komisionit hetimor për aferën e inceneratorëve.
Por, nuk mund të them se ja kemi dalë sa duhet. Nuk kemi shkëlqyer as ne, pasi edhe në mesin tonë, në një moment nxori krye një përplasje e brendshme, që na mori shumë kohë e shumë energji.
Ai gjithashtu foli edhe për modelin që ka ofruar ajo sallë, dhe politika e në veçanti rilindja. Këlliçi tha se e refuzon këtë model, dhe shtoi se do ta luftojë atë me sa fuqi të ketë.
Këlliçi u shpreh gjtihashtu se po futet në një projekt të ri, që është gara për Bashkinë e Tiranës, dhe siguroi se do të ofrojë një model tjetër, ndryshe nga sa prodhon politika sot.
Unë kam ende shumë për të mësuar, se për fat jam ende i ri. Por, një gjë e di mirë. Modeli politik që keni ofruar ju, kjo sallë, ky kryeministër dhe kjo qeveri, nuk do të jetë kurrë modeli që unë do të ndjek. Por, do te jetë modeli që do ta luftoj me sa fuqi do të kem.
Unë sot, pas kësaj seance do të dorëzoj mandatin e deputetit, sepse me besim të plotë i kam hyrë një projekti të madh politik. Me besimin që më ka dhënë anëtarësia e PD në të parin proces të primareve, jam zgjedhur si kandidat i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, e duke nisur nga nesër unë do të jem kandidati i të gjithë qytetarëve të Tiranës.
Në fjalën e tij nga foltorja, Këlliçi akuzoi një pjesë të deputetëve se iu kanë kthyer shpinën votuesve dhe kanë shitur shpirtin. Ai i akuzoi deputetët socialiste se janë kacafytur për interesat e rilindjes dhe babëzia iu ka errësuar logjikën.
Belind Këlliçi është kandidat i dalë nga Primaret e ‘Foltores’, drejtuar nga Sali Berisha.
Këlliçi në betejën e 14 majit do të përfaqësojë logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.



