Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për të bllokuar hyrjen e kamionëve nga Shqipëria drejt territorit të tyre, pa u dezinfektuar.
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi shkruan se Kurti i ka hapur kufirin Serbisë që të hyjë kushdo, ndërsa për Shqipërinë urdhëroi karantinimin 7-ditor.
Sipas tij, kryeministri në detyrë hap kufirin me Serbinë dhe mbyll Kosovën nga Shqipëria.
Postimi i plotë
'Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19.
Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.
Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyll Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.
Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! HTH'



